Ish seleksionuesi i Maqedonisë U21 merr drejtimin  e Kit Go!

Skuadra e Ligës së Dytë – Lindje, Kit Go gjatë ditës së sotme ka emëruar trajnerin e saj të ri, i cili do të udhëheq këtë skuadër në vazhdim të kampionatit, njofton “infOSport.mk”.

Bëhet fjalë për ish seleksionuesin e Maqedonisë U21, Dobrinko Ilievski – Pizhon, i cili në postin e trajnerit te skuadra nga Pehçeva do të zëvendësojë Trajçe Senev.

Si përforcim shtesë në stafin teknik do të përfshihet edhe ish trajneri i Struga Trim Lum, Aleksandar Tançevski, me të cilin Ilievski kishte punuar edhe tek shpresat e vendit.

Dobrinko Ilievski – Pizhon në karrierën e tij si trajner, përveç Maqedonisë U21 ka udhëhequr edhe reprezentacionin U17 dhe u18, ndërsa së fundmi ishte pjesë e U15, ku ditë më parë kjo kombëtare zhvilloi dy ndeshje kontrolluese me bashkëmoshatarët e Polonisë, transmeton “infOSport.mk”.

Ndryshe sa i përket punës së tij si trajner në klube, ai kishte punuar edhe te Bregallnica dhe Teteksi, ndërsa gjithashtu kishte luajtur edhe rolin e asistentit të parë të Ilço Gjorgjioskit, kur ky i fundit udhëhiqte Makedonija GJ.P dhe Vardarin.

Debutimin e tij në bankinën e Kit Go, Ilievski dhe Tançevski do ta kenë që nesër në derbi ndeshjen kundër Kozhuvit, ndeshje kjo e vlefshme për javën e 18-të në LDFM – Lindje.

Leave a Reply