Kombëtarja e Shqipërisë mbrëmë në kuadër të ndeshjeve eliminatore për “Euro 2020” si mysafir shënoi fitore 3:0 ndaj Andorrës, duke bërë që shumë shpejtë të harrohet ajo disfatë 0:2 në “Loro Boriçi” ndaj Turqisë.
“Kuqezinjtë” në ndeshjen e mbrëmshme i udhëhoqi Ervin Bulku, njëherit ndihmës i Kristian Panuçit, i cili u shkarkua pas asaj disfate të 21 marsit.
Kësisoj sfida ndaj Andorrës ishte e rëndësishme për të marrë 3 pikët e para në grup pavarësisht lojës që shfaqi ekipi, teksa në dy raste përfitoi nga gabimet e kundërshtarit për të realizuar.
Pikërisht goli i parë i shënuar nga Armando Sadiku, erdhi nga një gafë qesharake portierit të Andorrës, i cili në përpjekje për të larguar topin nuk arriti të koordinohej duke lënë portën e boshatisur, dhe në këtë mënyrë Sadiku nuk e pati aspak të vështirë për të realizuar.
Video e momentit të gafës së portierit është shpërndarë në internet, ndërsa ka gjetur vend edhe tek gjigandët medial të “Sky Sports”.
Në fakt edhe goli i dytë i Shqipërisë erdhi nga një gabim i kundërshtarëve për këtë herë, gafa nuk ishte aq amatore sa në rastin e portierit, i cili tashmë është bërë i famshëm në internet.
Shqipëria pas dy xhirove të para në kuadër të grupit “H” eliminatorë, mbanë pozitën e 3-të me 3 pikë, po aq sa ka edhe Islanda e vendit të katërt, ndërkohë me nga 6 pikë në dy pozitat e para ndodhen Franca dhe Turqia.