Pas shkarkimit të Kristian Panuçit, mediat menjëherë kanë filluar të merren edhe me emrat e kandidatëve të mundshëm që do të zëvendësonin italianin në postin e seleksionuesit të Kombëtares shqiptare, njofton “infOSport.mk”.
Kësisoj sipas asaj që raportojnë mediat shqiptare në krye të “kuqezinjëve” do të qëndrojë sërish një italian, Edoardo Reja, që shihet si favoriti kryesor.
Ky i fundit mbrëmë ka qenë i pranishëm në “Loro Boriçi” për të parë nga afër ndeshjen Shqipëri – Turqi (0:2), ndërsa thuhet se pas përfundimit të së njëjtës, ai ka pasur një takim kokë me kokë me presidentin e FSHF-së, Armando Duka, me të cilin si duket ka arritur një marrëveshje për të marrë drejtimin e Shqipërisë.
Ndryshe bëhet fjalë për një strateg 73-vjeçar, i cili thuajse gjithë karrierën e tij si trajner e ka zhvilluar në Itali, duke udhëhequr skuadrat si Napoli, Lacio, Bolonja, Kaljari, Torino, Leçe, Xhenoa, Katania, Bresha e shumë të tjera, ndërsa gjatë sezonit 2009/2010 ai kishte drejtuar edhe skuadrën e njohur kroate të Hajdukut.
Nëse vjen deri te zyrtarizimi i marrëveshjes mes dy palëve, atëherë kjo do të ishte hera e parë që Reja do të drejtonte një kombëtare, si dhe hera e parë pas vitit 2016-të që do të rikthehej sërish në zanatin e trajnerit, kur për së fundmi drejtonte Atalantën.