Përfaqësuesja e Kosovës vazhdon me super paraqitjet e saj. Të përzgjedhurit e trajnerit Bernard Çallandes të enjtën në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë barazuan 2:2 ndaj Danimarkës, skuadër kjo që deri te barazimi erdhi vetëm në minutat shtesë të takimit, njofton “infOSport.mk”.
Në një super atmosferë të krijuar nga tifozët dardan në stadiumin “Fadil Vokrri”, Kosova luajti edhe një ndeshje tjetër të madhe, duke paralajmëruar bullgarët, kundërshtarin e parë në kuadër të elilminatoreve për Europianin e vitit 2020, ndaj të cilëve do të luajnë të hënën me 25 mars.
Pas një dominimi në pjesën e parë, goli për Kosovën erdhi në minutën e 42-të, me autorë Amir Rrahmani, i cili pas një harkimi në zonën kundërshtare, kërceu më së larti dhe me kokë mposhti portierin e Lester Sitit, Kasper Shmajhell.
Epërsia e Kosovës gjatë pjesës së parë, bëri që trajneri i Danimarkës, Hareide në pjesën e dytë të inkuadrojë në lojë edhe futbollistët e tij më të mirë, përfshirë këtu edhe yllin e Totenhamit, Kristian Eriksen, i cili në minutën e 63-të përmes një penaltie të shkaktuar nga Herolind Shala, arriti që të shënojë në rjetën e Ujaknit dhe të barazojë shifrat në 1:1.
Mirëpo edhe përkundër këtij barazimi, përfaqësuesja kosovare nuk u dorëzua, dhe menjëherë u kanos me anë të Muriqit dhe Zenelit, që në minutën e 66-të Bersant Celina të gjejë edhe golin e dytë në rrjetën e danezëve.
Rezultati 2:1 ishte valid deri në minutën e 91-të, atëherë kur Hojbjerg arriti që të shënojë golin e barazimit për Danimarkën, që në fund lëshoi Prishtinën pa disfatë, edhe pse ishte shumë pranë, transmeton “infOSport.mk”.
Në anën tjetër djelmoshat kosovar edhe njëherë tjetër dëshmuan se janë një skuadër shumë e fortë dhe e papërshtatshme për çdo skuadër, pavarësisht emrit që kanë përballë, ndërsa e gjithë kjo po bënë që Kosova në çdo ndeshje të ketë përkrahjen e madhe nga ana e tifozëve të saj, siç ishte rasti edhe ndaj Danimarkës, e që ishte një paralajmërim për atë se çfarë e pret përfaqësuesen e Bullgarisë në ndeshjen e parë zyrtare për këtë vit të përfaqësueses kosovare.