UEFA ka vendosur që të nisë zyrtarisht një hetim për sjelljen në fushë të yllit të Juventusit, Kristiano Ronaldo pas ndeshjes së kthimit në Ligën e Kampionëve, ndaj Atletiko Madridit.
Portugezi festoi me një gjest që nuk kaloi pa u vënë re nga organet hetimore të UEFA-s, të cilat tashmë do të hetojnë luzitanin dhe pritet të marrin një vendim me datë 21 mars.
CR7 do të gjykohet për thyerjen e rregullave të disiplinës, njëjtë si trajneri Diego Simeone, i cili u dënua vetëm me një gjobë në vlerë monetare. Megjithatë ajo çka lë të hapur mundësinë e Ronaldos për t’u ndëshkuar, përveç gjobës, edhe me një ndeshje pezullim është fakti se reagimi i CR7 mund t’iu jetë drejtuar tifozëve të Atletikos.
Në këtë rast do të konsiderohej si një fyerje ndaj tifozerisë kundërshtare dhe Ronaldo do të merrte pezullim me një ndeshje, duke humbur sfidën e parë të çerekfinaleve ndaj Ajaksit, në Holandë.
Nëse ndëshkimi do të ishte maksimal, do të ishte një humbje e madhe për Juventusin, teksa në Ligën e Kampionëve, 34-vjeçari shndërrohet në protagonistin kryesor të skuadrës.