Java e 16-të në Ligën e Dytë – Perëndim do të mbahet mend një kohë më të gjatë, ndërsa e njëjta lirisht mund të quhet javë e barazimeve, njofton “infOSport.mk”.
Dy skuadrat kryesuese, Struga Trim Lum dhe Labunishta nuk i’a dolën të marrin fitore, duke barazuar sërish pa gola. Pas barazimit mes vete në ndeshjen e xhiros së parë në stinorin pranveror, ato sot barazuan ndaj Korabit në Dibër, gjegjësisht ndaj Teteksit në Strugë. Ndeshja e tretë që u mbyll me barazim pa gola, ishte ajo midis Gostivarit dhe Pelisterit.
Falë një penaltie Vëllazërimi i shpëtoi disfatës në ndeshjen ndaj Genç Kalemler në Kërçovë. Skuadra mysafire edhe pse që nga minuta e 10-të luante me një futbollistë më pak në fushë, pas përjashtimit të Vildan Kerim, në minutën e 72-të me anë të sulmuesit shkupjan Sunaj Hasan kaloi në epërsi, ndërsa për barazimin e Vëllazërimit u përkujdes Murat Adili, me golin e realizuar në minutën e 78-të.
Fitoren e vetme këtë javë e realizoi Gobleni, që si mysafir me rezultatin 3:1 mundi Skopjen. Besim Mustafi vetëm pas 4 minutave lojë kaloi në epërsi skuadrën kumanovare, ndërsa golin e barazimit Skopje e gjeti në minutën e 13-të përmes Esmin Liçina, i cili shënoi nga penaltia.
Fitoren Gobleni e siguroi gjatë pjesës së dytë falë golave të shënuar nga Visar Aliji dhe Mërgim Lutfiu.