Zëvendës drejtori i Agjencionit për Rini dhe Sport, Gazmend Ristemi në një prononcim ekskluziv për InfOSport ka folur në lidhje me pretendimet e mediave të caktuara për praninë e tij në Kuvendin e Përgjithshëm të Federatës së futbollit të Maqedonisë në të cilën president i ri i këtij institucioni u zgjodh Muamed Sejdini. Dy javët e fundit ARSM në mënyra të ndryshme kërkonte të bëjë obstruksione në organizimin e Kuvendit të FFM-së ku Sejdini ishte kandidat i vetëm për postin e presidentit. Pasi tentimet për pengesa nuk mundën të realizohen dhe Sejdini u zgjodh presidenti i ri i FFM-së, për të hutuar opinionin shfaqet deklarata e Drejtorit të ARSM-së, Darko Kaeski që e cilëson si private praninë e zëvendësit të tij në Kuvendin e FFM-së. Nuk vonon përgjigja e Ristemit që përgënjeshtron pohimet e tilla, duke bindur se ai ishte me detyrë në përfaqësim të atyre që e kanë zgjedhur në postin e tij.
“Ju them me bindje se në Kuvendin e FFM-së isha si zëvendës drejtor i Agjencionit për Rini dhe Sport. Nuk është mirë të ndahemi në bazë të etnitetit, por nëse duhet të reagojmë me nivelin e veprimit atëherë ju them se unë përfaqësoj shqiptarët e Maqedonisë së Veriut pasi ata më kanë zgjedhur mua në postin ku jam”, deklaroi shkurtë dhe qartë, zëvendës drejtori i Agjencionit për Rini dhe Sport, Gazmend Ristemi.