Trajneri i Kombëtares shqiptare Kristian Panuçi ditën e sotme ka publikuar listën e futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet e para kualifikuese për Euro 2020, respektivisht ndaj Turqisë më 22 Mars në “Loro Boriçi” dhe Andorrës më 25 Mars në Estadi Nacional. Pjesë e saj është edhe kumanovari, Naser Aliji, aktualisht pjesë e Dinamo Bukureshtit, ndërsa bie në sy edhe prezenca e Armando Sadikut, sulmuesit të Luganos, i cili rikthehet pas atij dëmtimi të rëndë, të pësuar si pjesë e skuadrës së Levantes.
Një emër i ri është edhe ai i Kristi Qose, 23-vjeçarit të skuadrës sllovake të Ruzhomberok, i cili kishte debutuar me fanellën e Kombëtares shqiptare që në kohën e De Biasit kur kishte vetëm 18 vjet, 11 muaj e 29 ditë.
Bëhet fjalë për një futbollistë të repartit të mbrojtjes, që mund të luaj edhe në krahun e djathtë, ndërsa debutimin e tij e kishte bërë në miqësoren e fituar 3:0 ndaj Andorës me 6 gusht të vitit 2014-të.
Grumbullimi i ekipit kombëtar do të nisë ditën e dielë në Kompleksin Tropikal, ndërkohë sipas programit mediatik për ekipin kombëtar A, për tre ditë me radhë, të hënën, të martën dhe të mërkurën, në orën 13.30 do të jenë përpara mediave dy futbollistë të ekipit kombëtar, teksa të enjten, një ditë përpara ndeshjes me Turqinë, në stadiumin “Loro Boriçi”, në orën 17:00, do të zhvillohet konferenca për shtyp me trajnerin e ekipit kombëtar dhe kapitenin.
Ndryshe në prag të këtyre dy ndeshjeve eliminatore, trajneri Panuçi përpara mediave do të dalë në një konferencë për shtyp ditën e dielë, në orën 11:00, në selinë e FSHF-së.
Më poshtë mund të shihni listën e futbollistëve të grumbulluar nga ana e trajnerit, Kristian Panuçi.