Ky duket se nuk është një moment i mirë për Shqipërinë dhe kërkesat që ka ajo për të afruar lojtarë. Pas Fiorin Durmishajt, një tjetër futbollist i ka thënë “jo” kuqezinjve, pro jo duke menduar për një kombëtare tjetër, por për klubin ku është transferuar në këtë sezon.
Të njëjtën përgjigje ka marrë edhe Kosova, e cila aktualisht po rivalizon me Shqipërinë për të siguruar futbollistin.
Emri që i intereson dy Federatave është Albert Vallci, mbrojtës i majtë i cili ka rënë në sy vetëm në sezonet e fundit në Austri, ndonëse tani është 23 vjeç. Ai ka lindur dhe është rritur në Austri dhe ka pasaportën austriake, por nuk ka luajtur asnjëherë me përfaqësueset e moshave të këtij vendi. Pasi spikati në radhët e Vaker Insbruk në dy sezonet e fundit, ai është transferuar te RB Salzburgu në janar, duke debutuar me të edhe në Ligën e Europës.
Duket se ai kërkon me çdo kusht të kthehet në një titullar të paprekshëm te austriakët dhe kjo është arsyeja pse ka kthyer mbrapsht ofertat që i kanë ardhur për t’iu bashkuar përfaqësueseve të Shqipërisë apo Kosovës.
“Është e vërtetë që kishte kërkesa si nga Federata e Kosovës, ashtu edhe nga e Shqipërisë për të qenë pjesë e Kombëtares A”, konfirmoi 23-vjeçari, i cili shpjegoi gjithashtu edhe përgjigjen që i ka dhënë të dy përfaqësueseve. “Pa ditur se çfarë çështjesh ligjore ka në sfond, unë kam vendosur se do të përqendrohem ekskluzivisht te detyra ime te RB Salcburg”, vijoi ai.
“Kam shumë pak kohë që kam ardhur këtu dhe pavarësisht një fillimi të mirë, ka shumë gjëra të reja për mua. Ndaj do të përqendrohem te kjo në të ardhmen e afërt”, deklaroi Vallci.
Rasti i mbrojtësit të majtë tregon edhe një herë se “paqja” mes FSHF dhe FFK që ishte vendosur në periudhën e drejtimit të Fadil Vokrrit, tani nuk ekziston më dhe se të dy palët janë vënë përsëri në ndjekje të të njëjtëve lojtarë. (vipsport.al)