Dervishi: Ndaj Gostivarit vetëm për 3 pikë

Sot në Ligën e Dytë – Perëndim, përveç ndeshjes derbi midis Struga Trim Lum dhe Labunishtit, vëmendjen e tërheq edhe ndeshja mes skuadrave të Pollogut, Teteksit dhe Gostivarit, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra tetovare që stinorin vjeshtorë e mbylli në pozitën e fundit, nuk ka të drejtë gabimi, ndërsa një gjë të tillë thotë edhe mesfushori i kësaj skuadre, Enis Dervishi, i cili ka respekt për ekipin e Gostivarit.

“Jemi të përgatitur maksimalisht, ndërsa fazën e fundit të përgatitjeve mund të them se kemi punuar vetëm për këtë ndeshje. Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e pikëve, andaj ndaj Gostivarit nuk mendojmë gjë tjetër përveç tre pikëve. Jemi në rrezik dhe nuk kemi hapësirë për ndonjë humbje, apo barazim, sidomos në ndeshjet si vendas. Jemi përforcuar dukshëm, mund të them se 70% skuadra ka ndryshuar fytyrë për dallim nga stinori vjeshtorë dhe besojmë se me transferimet e bëra do i’a arrijmë qëllimit që të mbijetojmë. Si në çdo ndeshje, ashtu edhe ndaj Gostivarit do të luajmë vetëm për tre pikë, shpresojmë edhe sot të dalim fitues, edhe pse futbollit nuk i dihet” – tha Enis Dervishi, i cili ka një respekt të veçantë për Gostivarin dhe disa futbollistë, me të cilët më parë kishte luajtur bashkë.

Ndeshja midis Teteksit dhe Gostivarit në Tetovë starton në ora 14:00.

Leave a Reply