Akademia Pandev dhe Pobeda për herë të parë në historikun e tyre do të takohen në një ndeshje gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.
Që të dyja skuadrat në këtë ndeshje futen pas disfatave në ndeshjet kampionale si vendas. Akademia Pandev u mund nga Shkupi (0:2), duke i dhënë fund serisë prej 6 ndeshjeve pa disfatë në kampionat, ndërkohë në anën tjetër Pobeda u mund nga Rabotniçki (0:1), duke vazhduar serinë e zezë të rezultateve në ndeshjet kampionale, që tashmë daton nga 10 nëntori i vitit të kaluar.
Plotë 8 ndeshje me rradhë Pobeda nuk dinë për fitore në kampionat, që e kanë vendosur këtë skuadër në një situatë shumë të palakmueshme, duke u renditur vetëm në pozitën e parafundit, mirëpo me pikë të barabarta me Bellasicën e vendit të fundit.
Megjithatë vlen të ceket se Pobeda në gjysmëfinale arriti duke bërë befasinë më të madhe në kuadër të Kupës, pasi eliminoi Shkëndijën me stil. Skuadra nga Prilepi fituesin aktual të Kupës dhe njëherit kampionin në fuqi e mundi në të dyja ndeshjet, madje duke mos pranuar asnjë gol.
Mbetet të shihet nëse Pobeda do të bëjë edhe një senzacion tjetër, duke luajtur edhe në finalen e saj të katërt, apo ndoshta Akademia Pandev do të shkruaj historinë, duke u kualifikuar për herë të parë në një finale të madhe, edhe pse është ky vetëm 90-të minutëshi i parë, transmeton “infOSport.mk”.
Ndeshja midis Akademia Pandev dhe Pobedës do të zhvillohet në stadiumin “Mladost” në Strumicë me fillim në ora 14:00, ndërsa Josip Barton do të jetë arbitri kryesor i këtij takimi.