E diela në futbollin vendor na dhuron ndeshjet e javës së 21-të, e ku do të kemi mundësinë të shohim edhe një përballje mes skuadrave shkupjane, Vardarit dhe Makedonija GJ.P. Te këta të fundit po mbizotëron një atmosferë e mirë, sidomos pas barazimit me Shkëndijën në kampionat dhe fitoren në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës, kundër Bellasicës.
“Jemi të gatshëm për ndeshjen e nesërme. Vardari është motiv për secilin. Edhe pse ndodhen në një krizë të vogël rezultatesh, një gjë e tillë nuk duhet të na jep hapësirë për tu liruar, por përkundrazi duhet patjetër të futemi maksimalisht për këtë ndeshje. Vardari është një super skuadër dhe ata janë favorit në ndeshjen e nesërme. Ne do shkojmë atje për të luajtur futboll si me gjithë skuadrat tjera që kemi bërë deri më tani. Mund të themi se shumë pozitivisht ndikoi barazimi me Shkëndijën si dhe fitorja në ndeshjen e parë të Kupës kundër Bellasicës. Shpresojmë të vazhdojmë me këtë seri të rezultateve të mira. Ndeshjet kundër Vardarit gjithnjë kanë qenë interesante, edhe pse luhet në lagjen e Maxharit shpresoj se dashamirët e futbollit do të kenë mundësi të shohin një ndeshje shumë interesante” – u shpreh enkas për “infOSport.mk” trajneri i Makedonija Gj.P, Aleksandar Tanevski.
Ndeshja e parë e këtij sezoni mes këtyre dy skuadrave e zhvilluar në stadiumin e Maxharit ishte mbyllur me barazimin 1:1, teksa Vardari kishte shënuar fitore në ndeshjen e kthimit në Gjorçe Petrov me rezultatin 1:3. Nga tabori i “verdhekuqve” nga Shkupi besojnë në një hakmarrje të dielën.