Një lajm i mirë për FC Shkupin dhe trajnerin e tyre, Umit Karan, i cili në ndeshjen e së dielës kundër Akademia Pandevit do të mund të llogarisë edhe në shërbimet e sulmuesit Maharafa Tandina. Ky i fundit për shkak dokumentacionit jo të plotë nuk arriti që të regjistrohet me kohë, ashtu që mungoi në dy ndeshjet e para të stinorit pranveror kundër Sileksit dhe Pobedës.
Megjithatë tashmë gjithçka është në rregull dhe ai pritet të jetë një rifreskim për sulmin e FC Shkupit, që në dy ndeshjet e para u tregua në nivelin e duhur.
“Sigurisht se jam shumë i kënaqur që më në fund përfundoi çështja e dokumentacionit. Unë kam punuar sistematikisht me klubin dhe shpresoj që të marr edhe besimin e trajnerit për të debutuar. Do të jap maksimumin për të ndihmuar klubin, jo vetëm në këtë ndeshje, por edhe në gjitha ndeshjet e këtij sezoni”, – ka thënë Tandina.
Futbollisti 21 vjeçar Tandina karrierën e tij profesionale e ka nisur me grupmoshat U19 dhe U21 të gjigantit turk Beshiktash, që më pas të luaj në Slloveni me ekipin “Simer Sampion”, ndërsa gjysmë sezonin e vitit të kaluar luajti me boshnjakët e “Mladost Kakanj”, prej ku erdhi te FC Shkupi në formë huazimi për gjashtë muaj, me të drejtë blerjeje të kartonit të tij.