Mbrojtësi i djathtë i Shkëndijës, Mevlan Murati pretendon që skuadra e tij të përfitojë nga avantazhi prej 8 pikëve në krye të tabelës në LPFM pavarësisht barazimit të së dielës në transfertën ndaj Makedonija Gj.P..
“Kuqezinjtë” nga Tetova nuk arritën të materializojnë me tre pikë dominimin, por gjithsesi ruajtën distancën me vendin e dytë falë humbjes bindëse të rivalit për titull, Vardarit. Fitorja do të ishte ideale, mirëpo edhe kështu Shkëndija është në pozitë shumë të mirë.
“Patjetër se duhej të merrnim tre pikët, por në futboll ndodh mos arrish rezultatin e dëshiruar. Por sigurisht se edhe me një pikë jemi në situatë shumë të mirë. Duhet të vazhdojmë të fitojmë në ndeshjet e rradhës, pasi kemi të gjitha mundësitë të bëjmë këtë. Tetë pikë avantazh në krye të tabelës duhet të shfrytëzohet për të materializuar punën tonë”, – është shprehur për faqen zyrtare të klubit mbrojtësi i djathtë i Shkëndijës, Mevlan Murati.
Mbrojtësi kuqezi tashmë kërkon qe e gjithë vëmendja të kthehet kah ndeshjet që pasojnë, siç është ajo e së dielës me Bellasicën në Tetovë.
“Pavarësisht barazimit të fundit, ne në tabelë jemi në pozitë shumë të mirë dhe tani duhet të sigurohemi ta përforcojmë atë. Fokusi shkon drejt sfidës me Bellasicën, që nuk do të jetë aspak e lehtë. Ne respektojmë çdo rival dhe pikët mund të fitohen vetëm nëse performojmë në maksimumin e mundësive tona. Kemi gjithë javën para nesh për të pritur sa më të gatshëm këtë ndeshje”, – shtoi numri ‘16’.
Pas ndeshjes me Makedonija Gj.P. të hënën skuadra punoi në rikuperim, të martën futbollistët kishin ditë të lirë, teksa sot stafi teknik ka paraparë të zhvillojë një ndeshje miqësore me Gostivarin.