Pas ndeshjeve të javës së 20-të që në program ishin të dielën, të mërkurën në futbollin vendor do të zë vend ndeshja e parë gjysmëfinale e Kupës së Maqedonisë, ku mejdanin në Strumicë do të ndajnë Bellasica dhe Makedonija GJ.P, njofton “infOSport.mk”.
Që të dyja skuadrat nuk kanë shijuar aromën e fitores në dy ndeshjet e stinorit pranveror, ndërsa një gjë të tillë dëshirojnë të bëjnë pikërisht nesër.
Atmosfera në rradhët e skuadrës vendase të Bellasicës nuk është edhe aq e mirë, sidomos pas asaj disfate në derbin lokal ndaj Akademia Pandev, ndërsa në anën tjetër futbollistët e Makedonija GJ.P futen me shumë vetëbesim pas barazimit të madh ndaj liderit aktual Shkëndijës.
Mbetet të shihet se cila do të jetë përgjigja e aktorëve në këtë ndeshje, e që është vetëm epizodi i parë, pasi epizodi i dytë dhe i fundit zhvillohet në Shkup me 10 prill, atëherë kur edhe përfundimisht do të mësojmë emrin e skuadrës finaliste të këtij çifti, transmeton “infOSport.mk”.
Ndërkohë skuadra e dytë finaliste do të kërkohet nga përballja midis Akademia Pandev dhe Pobedës. Këto dy skuadra ndeshjen e tyre të parë gjysmëfinale do ta zhvillojnë me 6 mars në Strumicë, kjo për shkak terrenit të njëjtë që shfrytëzojnë Bellasica dhe Akademia Pandevi.