Pas barazimit me Shkëndijën të dielën në Shkup, vetëbesimi në mesin e futbollistëve të Makedonija GJ.P është ritur në maksimum, ndërsa e gjithë kjo jep shpresa se skuadra “verdhekuq” nga Shkupi mund të arrijë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës kundër Bellasicës në transfertë. Kështu së paku pohon kapiteni i Makedonija GJ.P, Bobi Bozhinovski, i cili nga bashkëlojtarët e tij kërkon që të përsërisin lojën e pjesës së dytë nga ndeshja kundër Shkëndijës.
“Pas barazimit me Shkëndijën, me siguri se na është ritur niveli i vetëbesimit. Mirëpo kjo nuk don të thotë asgjë, por përkundrazi ne duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të jemi të fokusuar për ndeshjen e nesërme, në realitet pjesën e parë të kësaj ndeshje të Kupës. Të tentojmë të përsërisim lojën e pjesës së dytë kundër Shkëndijës, që d.m.th koncentrim i lartë dhe luftë e madhe. Nëse bëjmë një gjë të tillë, atëherë nuk do të mungojë rezultati pozitiv, që është çdo rezultat tjetër, përveç disfatës” – tha enkas për “infOSport.mk” kapiteni i Makedonija GJ.P, Bobi Bozhinovski.
Ndeshja e parë gjysmëfinale e Kupës së Maqedonisë midis Bellasicës dhe Makedonija GJ.P do të zhvillohet në stadiumin “Mladost” në Strumicë, aty ku me 17 shkurt, skuadra shkupjane kishte pësuar një disfatë të thellë 3:0 ndaj Akademia Pandevit në ndeshjen e parë të stinorit pranveror.
Ndeshja Bellasica – Makedonija GJ.P starton në ora 14:00, ndërsa do të drejtohet nga arbitri Marjan Markoski nga Ohri, të cilit do ti ndihmojnë edhe Nikolla Karakolev dhe Zharko Todorovski. Arbitër i katërt i këtij takimi do të jetë Zoran Sazdovski, ndërsa dy arbitrët pranë golit janë dy struganët Jovan Kaçevski dhe Albrim Shaqiri.