Renova sot në Tetovë do të mirëpret Vardarin në një nga ndeshjet më interesante të javës së 20-të në elitën e futbollit vendor. Bazuar në kualitetin e të dyja skuadrave, pritet që kjo të jetë një ndeshje me shumë paqartësi, ku fituesin do ta vendosin nuanca.
Renova ka epërsinë e terrenit vendas, aty ku një javë më parë Vardari u mund nga Shkëndija.
Trajneri Nikolla Ilievski – Xhixhi në prag të këtij takimi po has në probleme, pasi për shkak dokumentacionit jo të plotë, do të mungojë sërish mesfushori Muhamed Useini. Jashtë kombinimit gjithashtu do të jenë edhe portieri Kobetiç, i cili do të mungojë për një kohë më të gjatë, pastaj mesfushori Ermedin Adem, si dhe mbrojtësi Nehar Sadiki, i cili ankohet në një lëndim të gjurit.
Që të gjithë këta munguan edhe në ndeshjen e javës së parë të stinorit pranveror ndaj Rabotniçkit në Shkup, ku Renova nxorri një barazim 1:1.
Ndeshja e sotme midis Renovës dhe Vardarit në Tetovë starton në ora 14:00, ndërsa arbitër kryesor i këtij takimi do të jetë Aleksandar Stavrev.