Musli Lika superior, i vetëm me dy gola mund Vardarin

Musli Lika po rezulton një përforcim i duhur për skuadrën e Korabit, që sot në Gostivar në një ndeshje miqësore, mundi ekipin e ligës së tretë, Vardar Forinën me rezultatin 2:1, njofton “infOSport.mk”.

Sulmuesi shkupjan, i cili javë më parë u huazua te skuadra dibrane nga rradhët e FC Shkupit, rezultoi deçiziv në takimin e sotëm, duke shënuar të dy golat për Korabin, që në këtë mënyrë regjistroi edhe fitoren e dytë në kuadër të ndeshjeve kontrolluese, në prag të stinorit pranveror në Ligën e Dytë – Perëndim. Lika që të dy golat i realizoi në pjesën e dytë, më saktësisht në minutat 55 dhe 72, teksa golin e vetëm skuadra e Vardarit nga Forina e realizoi në minutën e 85-të.

Rikujtojmë Korabi me po të njëjtin rezultat (2:1) kishte mundur edhe Gostivarin, kishte barazuar 1:1 me Vëllazërimin në Ohër, ndërsa kishin humbur në ndeshjen e tyre të parë ndaj Labunishtit (0:3) në Strugë.

Ndryshe për Musli Likën, ishte ky goli i tretë i shënuar me petkun e Korabit, duke pasur parasysh se kishte shënuar edhe në debutimin e tij ndaj Gostivarit.

Leave a Reply