Futsal Shkupi ka regjistruar edhe fitoren e tretë nga po aq ndeshje të zhvilluara në kuadër të stinorit pranveror, duke ecur me hapa të sigurtë drejt titullit kampion në elitën e futsalit vendor, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra nga Çairi sonte në Kavadar mundi ekipin e Crna Rekës me rezultatin 1:4 (0:3), duke vazhduar në këtë mënyrë serinë e rezultateve pozitive dhe duke konfirmuar pozitën e parë në tabelë para ndeshjeve të “play-offit”.
Ndryshe më i merituar për fitoren e 17-të nga gjithsej 18 takime, ishte Ivan Sotirovski, i cili realizoi “hat-trik”, ndërsa një gol tjetër realizoi edhe Rexhep Sulejmani.
Tashmë në ndeshjet e “play-offit” që startojnë nga dita e enjte, Futsal Shkupi në ndeshjen e parë do të mirëpret skuadrën e katërt në tabelë, e që aktualisht mbahet nga Zhelezareci, skuadër kjo që në kuadër të javës së 18-të do të përballet me Kratovën.