Emir Skenderi po kalon momente të mira me skuadrën e Kozhuvit, për të cilën skuadër në dy ndeshjet e fundit kontrolluese arriti që të shënojë 4 gola, shkruan “infOSport.mk”. Pas “tripletës” ndaj Vardar Negotinës (3:0), Skenderi rezultoi deçiziv edhe në ndeshjen e fundit të skuadrës së tij ndaj Plaçkovicës, ndaj së cilës skuadër shënoi golin e vetëm në fitoren 1:0. Këto gola e bëjnë të lumtur sulmuesin shkupjan, ndërsa njëkohësisht e bëjnë me shumë vetëbesim për ndeshjet e rradhës, e në veçanti ato kampionale.
“Dy ndeshjet e fundit ishin shumë të mira në aspektin individual, pasi arrita që të shënojë plotë 4 gola. Për më tepër golat e mi bënë që skuadra jonë të shënojë fitore, fillimisht 3:0 ndaj Vardar Negotinës dhe më pas 1:0 ndaj Plaçkovicës. Kjo më bënë shumë të lumtur, ndërsa gjithashtu më shtonë vetëbesimin për të vazhduar edhe më fuqishëm në ndeshjet e rradhës, e sidomos në ato kampionale” – tha enkas për “infOSport.mk”, Emir Skenderi.
Ndeshjen e parë të stinorit pranveror në Ligën e Dytë – Lindje, Kozhuvi do ta zhvillojë në shtëpi kundër Bregallnicës, një skuadër tjetër kjo që pretendon për inkuadrim në Ligën e Parë. Skenderi thotë se të gatshëm presin edhe këtë ndeshje dhe në përgjithësi pjesën e dytë të kampionatit, ndërsa më së miri flasin edhe rezultatet e arritura në kuadër të ndeshjeve kontrolluese, ku në 6 ndeshje, ka regjistruar 3 fitore, një barazim dhe dy disfata, edhe atë kundër skuadrave nga Liga e Parë, Pobeda (0:1) dhe Makedonija Gj.P (1:2), transmeton “infOSport.mk”.
Barazimin e vetëm në këto ndeshje Kozhuvi i Emir Skenderit e kishte arritur ndaj Kit Go (0:0), teksa kishin mundur Detonit Juniorin (1:0), Vardar Negotinën (3:0) dhe Plaçkovicën (1:0).
(Foto: Martin Stojanov)