Alvaro Morata ka lënë një pjesë të zemrës në Torino, ku ka luajtur me Juventusin në periudhën 2014-2016. Tani, megjithatë, me fanellën e Atletiko Madridit prej disa javësh, do të përballet si kundërshtar pikërisht me “Zonjën e Vjetër” në Ligën e Kampionëve sonte në “Ëanda Metropolitano”.
“Unë e di se fitimi i Ligës së Kampionëve do të jetë diçka e veçantë këtu, por nuk pretendoj të jem më i rëndësishëm se kushdo. Kam ardhur për t’i dhënë një dorë Atletico Madridit. Së pari duhet të mendojmë për ndeshjen me Juventusin. Unë i njoh bardhezinjtë, e di që nuk janë të lumtur as me barazimin këtu. Ata janë favoritë edhe për trofeun, në fund të garës. Kjo është një përgjegjësi për to, ndërsa ne jemi të vetëdijshëm për potencialin që kemi”, ka theksuar Alvaro Morata.
Ai i bëri këto deklarata për gazetën “AS”, shkruan Telesport, vetëm disa orë para fillimit të ndeshjes Atletiko Madrid-Juventus. E pamundur të mos përmendej, megjithatë, një gol i tij i mundshëm: “Goli me fanellën e Atletico Madridit më gëzon dhe mund ta festoj atë. Sidomos sonte në shtëpi, në “Ëanda Metropolitano”. Festimi do të mungonte në Torino, në respekt të tifozëve atje. Juventusi është ekipi im në Itali dhe dua që të fitojë gjithmonë, përveç kur takohet me Atletico Madrid…”
Alvaro Morata flet për dy lojtarë të Juventusit. Me njërin luajti atje, në Torino, me tjetrin në Madrid: “Bonuçi tha se do të më mbulonte në të gjithë fushën? Kjo do të jetë një gjë e mirë për mua, sepse do të thotë se më vlerëson si sulmues. Kristiano Ronaldo? Kurrë nuk kam pasur probleme me të. Ndoshta kemi ide të ndryshme në disa aspekte, por është një person i mrekullueshëm. Ne kemi biseduar për shumë gjëra në Madrid, për familjen dhe të tjera”.
Në fund, sulmuesi spanjoll shpjegon se historia me Atletico Madrid është shkruar në fatin e karrierës së tij, për disa vite: “Të them të vërtetën, Atletico Madrid më ka kërkuar prej tri vitesh e gjysmë. Unë ia kisha dhënë fjalën trajnerit Simeone që në atë kohë. Se kur mund të vija, kjo nuk ishte vetëm në dorën time. Tani u plotësuan kushtet, jam këtu dhe do të jap gjithçka për këtë fanellë”.