Nëse deri tani jemi mësuar me parulla të tipit “Kosova nuk është Serbi” të shihen nëpër stadiume dhe në evenimente të tjera, nga sot e tutje do të kemi të bëjmë me një tjetër parullë që tifozët e Bursasporit, në Turqi kanë “zbuluar”.
“Serbia është Kosovë”, është parulla e re që është parë në stadium gjatë ndeshjes së javës së 22-të në Superligën turke midis Bursasporit dhe Akhisarit.
Turqia është një nga vendet që e mbështesin me fanatizëm shtetin e ri të Kosovës, ndërsa një gjë të tillë dëshmuan edhe në 11-vjetorin e Pavarësisë së shtetit kosovar.
Turqit nuk e harruan këtë festë të madhe të miqve të tyre shqiptarë, dhe në stadium kishin shpalosur një pankartë që “nderon” Kosovën.
Kjo foto është postuar nga faqja e “Ultras Turkey”, në “Facebook” dhe ka sjellë reagime në Turqi dhe në rajon.