Shkupjani Lirim Zendeli ka bërë një hap të madh në karrierën e tij, teksa po i afrohet ëndërrës së tij për garim në Formula 1. Talenti shqiptar sot edhe zyrtarisht është prezantuar me ekipin e Sauber Motorosport, në kampionatin e Formula 3, dy nivele larg Formula 1.
Zendeli do të jetë një nga tre pilotët e njëvendshes “Alfa Romeo” në kampionatin e F3, makinë e cila këtë sezon është rikthyer edhe në Formula 1.
Pikërisht, ky hap i Zendelit, ka ardhur pas bashkimit të kompanisë “Charouz” me Sauber Motorsport, e bërë në nëntor të vitit të kaluar dhe këtë sezon do të përfaqësohen me makinën “Alfa Romeo” në kampionatin e Formula 1.
Ndërkohë, veç dy pilotëve Kimi Raikkonen dhe italiani Antonio Giovinazzi, që do të garojnë në F1, Sauber Motorosport do të ketë dhe shtatë pilot, në nivelet më të ulta të formulas, përfshirë këtu edhe Lirim Zendelin, i cili do të jetë një nga tre pilotët që do të garojnë në Formula 3.
Rikujtojmë shkupjani 19-vjeçar, Lirim Zendeli, gjatë sezonit të kaluar me plotë meritë u shpall kampion në Formula 4, duke fituar më shumë se gjysmën e garave sezonale.