Pa asnjë gol të shënuar kanë përfunduar dy ndeshjet e para të 1/8 së finales gjatë mbrëmjes së sotme në Ligën e Kampionëve, njofton “infOSport.mk”.
Në “Enfilld Roud”, Liverpulli dhe Bajerni i Munihut nuk arritën që të shënojnë, teksa Lioni mjaft mirë kishte analizuar lojën e Barcelonës.
Liverpulli më shumë e kërkonte fitoren, mirëpo “bavarezët” luajtën shumë mirë në mbrojtje, duke mos lejuar që të rrezikohet më seriozisht portieri i tyre, Manuel Nojer. Ishte kjo ndeshja e katërt që skuadra gjermane nuk arrinë të shënojë në “Enfilld Roud” në ndeshjet ndaj Liverpullit në kuadër të ndeshjeve europiane.
Edhe Lioni dhe Barcelona u ndanë në barazim të bardhë 0:0, në një sfidë, e cila u dominua nga ‘katalunasit’, por që francezët rezistuan deri në fund. Barcelona ishte më dominuese në këtë takim, krijoi shumë raste shënimi, mirëpo duke mos arritur që të finalizojë ndonjërën prej tyre me gol.
Rasti më i mirë për ekipin e Valverdes ishte ai i Usman Dembeles, i cili edhe pse doli i vetëm para portierit Lopez, nuk arriti që të mposhtë këtë të fundit, ndërsa në anën tjetër rastin më të mirë për Lionin e kishte Terrie, i cili lëshoi një predhë të vërtetë, por që Ter Shtegen, i ndihmuar dhe nga traversa shpëtoi ekipin e tij. Kësisoj mbetet gjithçka e hapur për ndeshjen e dytë, që në program është me datë 13 mars.