Realizimi i shkupjanit Omar Imerit në minutën e 23-të rezultoi vendimar për fitoren e Shkëndijës 1:0 kundër Vardari në kuadër të xhiros së 19-të në LPFM. Tre pikë të rëndësishme që çojnë kuqezinjtë të zgjerojë në tetë pikë diferëncën me vendin e dytë në tabelë.
“Ishte shumë me rëndësi të startojmë me fitore gjysmësezonin pranveror, për më shumë që përballë kishim rivalin direkt për titullin e kampionit. Futbolli është sport ekipor dhe për mua gjithmonë në plan të parë është suksesi i ekipit, mirëpo nuk mund të fsheh kënaqësinë që pikërisht goli im na solli fitoren”, shprehet sulmuesi i Shkëndijës, Omar Imeri për kanalin zyrtar të klubit kuqezi.
Për 19-të vjeçarin ky ishte goli i parë kampional me fanellën kuqezi, derisa ka realizuar dy herë në kuadër të Kupës dhe në ndeshje testuese. Starti i gjysmësezonit pranveror me tre pikë hap rrugën që skuadra të tregojë vazhdimësi në ndeshjet e rradhës.
“E thash se ishte fitore me vlera, por që duhet ta marrim si një kapitull të mbyllur. Tifozët kanë të drejtë të festojnë, por ne shikojmë përpara. Nisëm me tre pikë ashtu si që kishim planifikuar dhe tani koncentrimi kthehet ka ndeshjet e rradhës. Çdo takim ka vlerën e vet dhe ne duam të fitojmë në vazhdimësi për të siguruar sa më shpejtë edhe matematikisht titullin e kampionit. Starti tregoi se jemi në rrugë të mbarë dhe tani duhet të krijojmë kontuinitet”, përfundoi Imeri.