Probleme të mëdha kanë kapluar Pobedën e Prilepit, skuadër kjo që ka mbetur pa udhëheqësi, teksa presidenti i klubit Nebojsha Stojkoviq, gjatë ditës së sotme kishte dhënë dorëheqje. Ai kishte njoftuar sponzorët dhe akcionerët e klubit lidhur me vendimin e tij, ndërsa rikujtojmë se Pobeda tashmë një kohë bukur të mirë është edhe pa drejtorë sportiv, pas emërimit të Jane Nikoloskit si krye trajner në fund të vitit që lamë pas.
“Vendimi që të tërhiqem nga pozita e presidentit është për arsye personale. Do doja ti falënderojë të gjithë bashkëpunëtorët e mi për bashkëpunimin, në veçanti sponzorët për investimin e bërë në klub, në situatë kur ekipi luan jashtë Prilepit. Klubit i dëshiroj një vazhdim të suksesshëm të sezonit, mbijetesë në Ligën e Parë dhe fitimin e Kupës së Maqedonisë” – ka thënë Stojkoviq.
Ky i fundit në kryesinë më të ngushtë të Pobedës ishte përfshirë gjatë janarit të vitit 2018-të, kur fillimisht luante rolin e zv.presidentit, ndërsa me fillimin e sezonit 2018/2019 ai luante edhe rolin e presidentit të FK Pobedës.