Futbollistët e FC Shkupit të gatshëm e presin startin e stinorit pranveror, më konkretisht ndeshjen kundër Sileksit. Lidhur me këtë takim ka folur zëvendës kapiteni i skuadrës ‘bardhekaltër’, Rron Broja, i cili ka potencuar se të gjithë së bashku do të japin maksimumin për të nxjerrë rezultat pozitiv nga transferta në Kratovë.
“Kemi punuar maksimalisht gjatë gjithë fazës përgatitore, por në veçanti edhe për ndeshjen ndaj Sileksit. Përballjet me ekipin nga Kratova gjithmonë kanë qenë të vështira, por mendoj se jemi të gatshëm për një fillim të mbarë të sezonit, duke kërkuar rezultat pozitiv”, – ka thënë Broja në një prononcim për faqen zyrtare të klubit.
Drejtësinë në ndeshjen Sileksi – Shkupi do ta ndajë arbitri nga Ohri, Marjan Markoski me mdihmësit Zharko Todorovski dhe Simon Grdanoski, derisa arbitër i katërt do të jetë Marjan Eckoski.
Dueli Sileksi – Shkupi zhvillohet të dielën në Kratovë, me fillim në orën 14:00.