Mesfushori tetovar, Muhamed Useini edhe zyrtarisht i ka dhënë lamtumirën Flamurtarit. Edhe pse askush nuk e kishte menduar ndoshta një gjë të tillë, borxhi prej 5 pagave nga ana e drejtuesve të skuadrës vlonjate bëri që mesfushori nga Maqedonia të marrë një vendim të tillë.
Edhe pse FIFA u kishte dhënë afat prej 14 ditësh drejtuesve të Flamurtarit për të shlyer borxhet, ata nuk bënë një gjë të tillë, ashtu që ndarja ishte e domosdoshme, edhe pse jo edhe me vullnetin e Useinit.
Ai përmes profilit të tij në facebook ka përcjellë një mesazh deri tek gjithë ata që duan Flamurtarin, duke shkruar se do të mbetet një tifoz i flaktë i skuadrës vlonjate, pjesë e së cilës ishte nga vera e vitit 2017-të.
“Së pari dëshiroj të them se sa krenar jam që kam qenë pjesë e familjes🔴⚫ dhe të luaj për klubin me një histori kaq të madhe. Dëshiroj të ju falënderoj për të gjithë dashurinë, mbështetjen që kam pasur dhe që e kam. Nuk do t’i harroj kurrë disa momente dhe ndeshje speciale. Do të më mungojë Flamurtari F.C dhe Vlora.Ju uroj shumë suksese në vazhdimësi dhe besoj të shkoj Flamurtari aty ku e ka vendin. Do ngelem tifozi me i zjarrtë i skuadrës. Me respekt M.U22🔴⚫💪💪💪💪💪”, përfundon mesfushori postimin e tij.
Ky postim i Muhamed Useinit në profilin e tij zyrtarë në facebook është vërshuar me komente pozitive nga ana e tifozëve të Flamurtarit, që i dëshironin suksese mesfushorit të tyre, pavarësisht se ku do vendos të luaj, ndërsa kishte edhe prej atyre që e dëshironin atë te Shkëndija, klubi i tij i parë në karrierë.