Leonard Kallaba shumë shpejt ka gjetur skuadrën e tij të re, pas shkëputjes së kontratës me Borecin e Velesit, njofton ‘infOSport.mk’. Mbrojtësi shkupjan edhe përkundër ofertave të shumta, vendosi që sërish të luajë në futbollin kosovar, duke veshur fanellën e Vllaznisë së Pozheranit.
“Të them të drejtën drejtuesit e Vllaznisë së Pozheranit ishin më bindës me ofertën e tyre dhe me kushtet që më ofruan, ashtu që pas disa ditëve kontakte vendosa të ju them ‘PO’. Edhe pse nuk janë mirë në tabelën e klasifikimit dhe po luftojnë për mbijetesë, dëshira e tyre e madhe për të më pasur në skuadër bëri që unë të pranojë ofertën e tyre, edhe pse kisha edhe shumë oferta të tjera” – tha enkas për infOSport.mk’ mbrojtësi shkupjan, Leonard Kallaba.
Është kjo hera e dytë që Kallaba do të veshë fanellën e Vllaznisë së Pozheranit, pjesë e së cilës ishte edhe gjatë sezonit 2016/2017. Mirëpo për dallim nga hera e kaluar kur me këtë skuadër shkruajtën historinë, duke u inkuadruar në mesin e më të mirëve, kësaj rradhe Kallaba me shokë do të tentojnë të shpëtojnë skuadrën nga rënia një kategori më poshtë.
“Për dallim nga hera e parë kur shkruajtëm historinë dhe siguruam një vend për në Superligë, kësaj rradhe me Vllazninë e Pozheranit do të luftojmë për mbijetesë në Ligën e Parë të Kosovës. Kjo është një sfidë e madhe për mua, mirëpo shpresoj dhe besoj fuqishëm se do i’a arrijmë qëllimit në fund për të përmbushur misionin tonë, që kësaj rradhe është i kundër me atë të herës së kaluar” – përfundoi Kallaba.
Vllaznia e Pozheranit stinorin vjeshtorë në Ligën e Parë të Kosovës e mbylli në pozitën e fundit me vetëm 8 pikë të tubuara, 7 më pak se Ramiz Sadiku i vendit të 12-të, që siguron mbijetesën e drejtëpërdrejtë, pa zhvilluar edhe ndeshjet e balotazhit.