Liria bëri “boom” në afatin kalimtar të janarit duke i sjell në Prizren gjashtë futbollistë të huaj si përforcime për sezonin pranveror i cili do të fillojë pas pak javësh.
Mirëpo, njëri prej këtyre lojtarëve të ardhur në Prizren ka befasuar pasi po rezulton me dy profesione. Fjala është për Martins Aristegui Maickol Pio, i cili krahas futbollit me profesion është edhe këngëtar, raporton “Gazeta Express”.
Martins Aristegui Maickol Pio dhe pesë lojtarët tjerë të huaj u prezantuan para pak ditësh nga Liria, ku i ka sjell trajneri i saj italian, Vincenzo Alberto Annese.
Madje, kur kishte ardhur në Prizren Martins Aristegui Maickol Pio ishte prezantuar me fjalë të mëdha nga Liria dhe trajneri i saj italian. Klubi bardh e zi kishte treguar se Martins Aristegui Maickol Pio ka origjinë nga Uruguai dhe luan si mesfushor i majtë, ndërsa së fundmi kishte luajtur në Liban për ekipin Al-Nabi Sheet Club.
Edhe trajneri italian i klubit kishte folur fjalë të mëdha për këto ardhje përfshirë uruguaianin.
“Përvoja e tyre e madhe, prej nga vijnë, do t’i ndihmojë ekipit”, kishte thënë për ueb faqen e klubit, trajneri Vincenzo Alberto Annese.
Mirëpo, nuk vonoi shumë dhe Martins Aristegui Maickol Pio rezultoi të jetë këngëtar krahas futbollistit.