Vardari rikthehet nga vdekja. Kështu të paktën komentojnë mediat maqedonase në vend, të cilët aludojnë në shlyerjen e borxheve të ‘kuqezinjëve’ shkupjan dhe ‘bombën’ e fundit që e shpërrthyen me angazhimin e ish futbollistit të tyre, brazilianit Huan Felipe. Ky i fundit me nënkampionët e vendit ka firmosur kontratë 6 mujore, mirëpo kur janë në pyetje përforcimet gjatë afatit kalimtarë të dimrit, si duket edhe Shkëndija nuk e ka dhënë fjalën e fundit.
Pas dy super transferimeve të Agim Ibraimit dhe Zeni Husmanit, si dhe tre talentëve Jakup Berishës, Berat Beqirit dhe Zija Merxhanit, Shkëndija është gati të shpërrthejë edhe me një bombë tjetër.
Fjala është për ish futbollistin e Rabotniçkit, Suad Sahiti, i cili mund të rikthehet sërish në futbollin tonë vendor.
Sahiti pjesë e Rabotniçkit ishte për tre vite të plota (2014-2017), duke vazhduar më pas karrierën në Shqipëri te skuadra e Skënderbeut, ndërsa së fundmi ishte pjesë e skuadrës AEL Larisa.
Emri i tij, por edhe i vëllait Emir Sahiti me Shkëndijën lidhej që para kalimit të tij në Shqipëri, mirëpo atë kohë falë edhe menaxherit të tij Shkumbin Qormemetit, i cili ka një miqësi shumë të ngushtë me drejtorin sportiv të Skënderbeut, Haris Fakiq, Suadi në fund vendosi të pranonte kalimin te Skënderbeu.