Lëndimi i superyllit të Barcelonës, Lionel Messi në ndeshjen e së shtunës ndaj Valencias nuk është aq shumë serioz. Ka mesi i pjesës së dytë, argjentinasi i cili shënoi edhe golin e dytë në barazimin 2:2 të skuadrës së tij, pësoi një goditje në kofshën e djathtë, me ç’rast kërkoi ndihmën e mjekëve.
Ai për disa minuta mbeti jashtë vijave kufizuese, mirëpo u rikthye në fushë, edhe pse jo me atë fuqinë e plotë që jemi mësuar ta shohim.
‘Ende nuk e dimë qartë gjendjen e Messit. Mendoj se bëhet fjalë për një zgjatje të muskulit të kofshës, mirëpo nuk është asgjë serioze. Më shumë do mësojmë pas kontrolleve që do ju nënshtrohet gjatë ditës së diel. Nëse Messi do të dëshironte ta zëvendësojë, do e bëja një gjë të tillë, mirëpo ai vendosi të vazhdojë’ – tha pas përfundimit të ndeshjes trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde.
Ndërkohë mediat spanjolle njëzëri thonë se Messi do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së mërkures, kur Barcelona do të takohet me Realin e Madridit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Spanjës. Ndeshja e kthimit në ‘Kamp Nou’ është me datë 27 shkurt.