Shkëndija në ndeshjen e saj të tretë në tokën turke ka arritur barazimin e parë. Pas fitoreve identike 2:0, ndaj Grasshopers dhe Orenburg, gjatë ditës së sotme të besuarit e trajnerit Qatip Osmani barazuan 2:2 ndaj austriakëve të St.Polten, njofton ‘infOSport.mk’.
Që të gjithë 4 golat e këtij takimi u shënuan brenda 20 minutëshit të parë, ndërsa 6 minutat e para ishin shumë të zjarrta, pasi u shënuan 3 gola.
Ishin ‘kuqezinjtë’ nga Tetova që falë golave të shënuar nga Agim Ibraimi (2’) dhe Valmir Nafiu (4’) avansuan me rezultatin 2:0, ndërsa pas një gabimi të Muratit në mbrojtjen e Shkëndijës, skuadra e St. Polten në minutën e 6-të arriti që të ngushtojë epërsinë e tetovarëve në 2:1.
Pas këtij goli Agim Ibraimi, i cili në minutën e dytë shënoi një super gol, tentoi sërish të mposhtë portierin kundërshtarë Vollnhofer, mirëpo kësaj rradhe pa sukses, ndërsa në anën tjetër Bajrami barazoi shifrat në 2:2.
Pjesa e dytë u zhvillua me tempo më të ulët dhe këtu ndikim mbase kishin edhe zëvendësimet e shumta në të dyja taboret. Në fund ndeshja u mbyll baraz 2:2, ndërsa tashmë ‘kuqezinjtë’ tashmë shikojnë para për të vijuar fazën përgatitore, ndërsa testi i rradhës është më 4 shkurt kundër Zheljezniçarit nga Bosnja e Hercegovina.