Burhan Aliji ka vendosur ti qëndrojë besnik skuadrës së Vëllazërimit, duke vendosur që ta respektojë kontratën e tij deri në fund të sezonit aktual, edhe përkundër ofertave të shumta që kishte në adresë të tij, njofton ‘infOSport.mk’.
Vetëm dy minuta i janë dashur futbollistit kumanovarë që ti thotë “PO” presidentit Blerim Sadiku, i cili njëherit premton se së shpejti në skuadër do të sjellë edhe dy-tre përforcime të tjera, për të qenë konkurrentë i denjtë për dy vendet e para në Ligën e Dytë – Perëndim.
‘Jam shumë i kënaqur me këtë vendim të Burhan Alijit, i cili edhe përkundër ofertave të shumta që kishte si nga vendi, ashtu edhe nga Kosova, vendosi ti qëndrojë besnik skuadrës sonë, mu në momentet kur neve kemi shumë nevojë për shërbimet e tij. Ai u tregua si burrë në këtë rast dhe pa u menduar shumë më tha se do jem me ju dhe se beson në projektin tonë si klub, ndërsa e gjithë kjo mua si president më shton ambiciet dhe besimin se mund të luftojmë denjësisht për dy vendet e para me futbollistë si Burhan Aliji’ – tha numri një i skuadrës kërçovare, Blerim Sadiku.
Mesfushori kumanovarë skuadrës së Vëllazërimit iu bashkua janarin e vitit të kaluar, ndërsa para se të vinte te skuadra kërçovare ai ishte pjesë edhe e skuadrës shkupjane të EuroMilkut, ndërsa gjatë karrierës së tij të bujshme, gjithashtu ka luajtur edhe për skuadrat, si: Bashkimi, Gostivari, Milano, Teteksi, Shkëndija, Drita e Bogovinës dhe Lirinë e Prizenit në Superligën e Kosovës.