Mesfushori kërçovarë, Demir Imer karrierën e tij ka vendosur ta vazhdojë në elitën e futbollit maltez, te skuadra e Mosta FC. Siç mëson ‘infOSport.mk’, ish futbollisti i Shkëndijës dhe Renovës me skuadrën malteze ka nënshkruar kontratë një vjeçare, me shpresë se në fund të sezonit aktual ata do i’a arrijnë qëllimit që të mbesin pjesë e elitës.
Aktualisht Mosta FC renditet në pozitën e 11-të me 12 pikë të tubuara, dy më shumë se skuadrat që ndodhen në zonën e ftohtë. Nëse dokumentacioni i duhur do të arrijë në kohë gjatë ditës së sotme, Imeri me fanellën e skuadrës së tij të re, do të debutonte që të shtunën në transfertën kundër Tarxien, ndeshje kjo e vlefshme për javën e 16-të.
Imeri së fundmi ishte pjesë e elitës së futbollit finlandez, duke mbrojtur ngjyrat e skuadrës së PS Kemi, ndërsa gjatë karrierës së tij përveç me Shkëndijën dhe Renovën, kishte luajtur edhe me Horizont Turnovën, Rabotniçkin, Vëllazërimin dhe Kamzën (Shqipëri).