Jordi Alba dhe Barcelona ripërsëritin betimet mes tyre, duke zgjatur bashkëjetesën deri në vitin 2024. Siç raportojnë mediat spanjolle mbrojtësi 29-vjeçar dhe gjigandët katalanas kanë shprehur vullnetin e përbashkët për të zgjatur këtë romancë mes tyre. Në këtë mënyrë kontrata aktuale e spanjollit, e cila skadon në 2020-ën do të rinovhet deri në 2024-ën në fund të këtij sesioni të merkatos.
Jordi Alba mban veshur fanellën e blaugranave që nga viti 2012 dhe përgjatë viteve ka rezultuar të jetë një gur themeltar në klubin katalanas. Lajmin e ka bërë publik vetë presidenti Josep Maria Bartomeu, që e ka cilëuar Jordi Albën si një lojtar të domosdoshëm për organikën e Valverdes, ndaj tashmë pritet vetëm firma e lojtarit që shprehet i lumtur për vazhdimësinë në Camp Nou. Rendimenti i mbrojtësit të krahut ka ardhur duke u rritur me kalimin e viteve. Edicionin e shkuar sezon në të cilin Barcelona triumfoi në La Liga dhe në Kupën e Mbretit, Jordi Alba nuk u kursye duke kontribuar në suksesin final të kampionatit, me një total prej dy golash dhe 8 asistesh. Falë këtij rendimenti ai u shpall edhe lojtari më i mirë katalanas për vitin 2018.
Edhe këtë sezon Alba po përmbush më së miri pritshmëritë ku në 21 takime të La Ligas ka dhuruar një gol dhe 9 asiste. Shifrat flasin vetë ndaj dhe Barcelona nuk ka ndërmend të privohet nga shërbimet e një prej lojtarëve më të fortë në qarkullim.