Pas plotë dy viteve e gjysmë aventurë te skuadra kampione e Italisë, Mehdi Benatia karrierën e tij do ta vazhdojë në Katar, ku i është bashkuar skuadrës së Al Duhail.
Juventusi do të përfitojë plot 8 milionë euro nga kartoni i marokenit, ndërsa pagesa do të bëhet në dy këste brenda vitit 2019-të.
Shifra mund të shkojë deri 10 milionë nëse do të arrihen disa kritere gjatë eksperiencës së futbollistit në Katar.
Me fanellën e Juventusit Benatia është aktivizuar në gjithsej 59 ndeshje, 40 prej të cilave ka zhvilluar në ‘Serie A’, ku ka shënuar edhe tre gola, ndërsa gjatë sezonit aktual, marokeni fanellën ‘bardhezi’ e kishte veshur vetëm në 6 takime, 5 në kampionat dhe një në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Benatia me Juventusin ka fituar dy kampionate, dy Kupa të Italisë dhe një Superkupë.