Kombëtarja e Shqipërisë në futsall gjatë ditës së sotme në kryeqendrën kosovare do të luaj një miqësore me skuadrën e Ligës së Dytë, Prishtina 01, shkruan ‘infOSport.mk’.
‘Kuqezinjtë’ tashmë për disa ditë me rradhë ndodhen në Kosovë, ku po zhvillojnë fazën kryesore të përgatitjeve në prag të turneut parakualifikues për kualifikim në Botërorin e vitit 2020 në Lituani, turne ky që nga data 31 janar deri me 3 shkurt do të mbahet në Shkup.
Përveç Shqipërisë pjesë e këtij grupi paraeliminatorë është edhe përfaqësuesja nikoqire e Maqedonisë, si dhe Greqia dhe San Marino.
Ndeshjen e parë ‘kuqezinjtë’ e seleksionuesit Erind Resuli do ta zhvillojnë me datë 31 janar kundër San Marinos, për të pasuar ndeshja me Greqinë me 1 shkurt, ndërsa me 3 shkurt ndoshta edhe në ndeshjen vendimtare Kombëtarja shqiptare do të përballet me Maqedoninë.
Ndërkohë sa i përket takimit të sotëm miqësorë kundërPrishtina 01, e njëjta do të zhvillohet me fillim në ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.