Ylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi edhe zyrtarisht është futbollisti i tretë me më shumë fitore të grumbulluara në historinë e elitës së futbollit spanjoll. Messi falë suksesit në ndeshjen e fundit ndaj Xhironës, regjistroi fitoren e 328 me fanellën e Barcelonës duke lënë pas një legjendë të Spanjës si ish-futbollistin e Real Madridit, Raul Gonzalez që u ndal në kuotën e 327 fitoreve.
Barcelona shënoi fitore 2:0 në ndeshjen e javës së 21-të, ndërsa goli i dytë ishte pjesë e Lionel Messit, i cili tashmë është në ndjekje të dy legjendave tjera të
La Ligës, Zubizareta dhe Iker Kasijas respektivisht, që në karrierën e tyre kanë nga 333, gjegjësisht 334 fitore, por që me shumë mundësi do të parakalohen nga argjentinasi, edhe atë që gjatë këtij sezoni.
Një tjetër objektiv që ‘pleshti’ mund të arrijë në këtë sezon është edhe ai i garës së golashënuesve në kampionat. Aktualisht rekordi mbahet nga Telmo Zarra, sulmuesi bask që arriti të shpallej 6 herë si golashënuesi më i mirë i La Liga-s, teksa Mesi është shpallur 5 herë.
Megjithatë 19 golat e tij dhe vendi i parë në listën e golashënuesve me 4 gola më shumë se ndjekësi më i afërt, Luis Suarez japin shpresa se Messi mund të barazohet që këtë edicion me Telmo Zarra, që më pas në sezonet e ardhshme të kërkojë edhe thyerjen e këtij rekordi.
Ndërkohë Leo Messi është edhe golashënuesi më i mirë në historinë e kampionatit spanjoll, ku deri më tani në 437 ndeshje të zhvilluara me fanellën e Barcelonës ka regjistruar 402 gola, apo mesatarisht nga 0.92 gola për ndeshje.