Kuqezinjtë tetovarë sezonin e kaluar lanë pas vetes sezonin më të suksesshëm në historinë e klubit, kur me një dominim të paparë më parë në futbollin e Maqedonisë fituan titullin e kampionit me 35 pikë më shumë se Vardari i Shkupit, ndërsa nuk kishin konkurencë edhe në Kupën e vendit kur triumfuan duke eliminuar në rrugën drejt finales në mënyrë bindëse Vardarin. Kjo ecuri vazhdon edhe në sezonin aktual dhe bashkë me paraqitjet e suksesshme në Kupat e Evropës kanë ngritur Shkëndijën në lartësi të kënaqshme duke e bërë interesante jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Shqipëri, Kosovë e gjetiu. Avansimi i teknologjisë por edhe prania e fuqishme e klubit në media ofrojnë skuadrën kuqezi afër gjithë simpatizuesve, ndërsa derisa sa ata shtohen gjithandej, ka të tillë që në të kaluarën kanë dhënë kontribut për këtë klub dhe tashmë me kënaqësi në distancë ndjekin sukseset që shënon skuadra tetovare. I tillë pa dyshim është Edmond Miha, trajneri nga Shqipëria i cili ka drejtuar Shkëndijën e Tetovës në periudha të ndryshme, pa lënë pa përmendur edhe situatat e krizës kur pranonte të punojë me sakrificë duke i dalë në ndihmë klubit. Edmond Miha plotë 17 vite jetoi dhe veproi në qytetin e Tetovës, ndërsa Shkëndija nuk i ik nga vëmendja edhe tashmë kur disa vite me familjen jeton në Vienë të Austrisë. Në vazhdim ju sjellim intervistën ekskluzive me profesorin Edmond Miha që vazhdon të ndjek me shumë interes Shkëndijën dhe me kënaqësi përjeton sukseset e ekipit ku dha shumë në të kaluarën.
Profesor, jetoni për momentin në Austri, mirëpo duket se në asnjë moment nuk largohet nga vëmendja juaj Shkëndija ku emri juaj është pjesë e rëndësishme e historisë së kësaj skuadre?
Edmond Miha: “Është normale kjo gjë, pasi të të jetosh 17 vite me familjen në Tetovë nuk është pak. Gjatë këtyre viteve morra 5 herë drejtimin e Shkëndijës në situata të ndryshme. Mbetet e paharuar fitorja e parë historike 2:0 kundër Vardarit në Shkup në sezonin garues 2010/2011 kur Shkëndija doli kampion. Krenari për mua dhe respekt e vlerësim nga tjerët. Sigurisht futbolli të jep energji dhe forcë për të përballuar sfidat, prandaj e kujtoj me shumë kënaqësi. E dyta që është me rëndësi për mua është se trajnerët që janë sot në KF Shkëndija kanë qenë futbollistë që i kam drejtuar. Gjithashtu i kam pasur edhe studentë në seminaret e UEFA-së për marrjen e liçenacave ku unë kam ligjeruar për 12 vite. Sot i kam kolegë, prandaj gjithashtu i kujtoj me kënaqësi.”
Duke qenë e qartë se ky klub ka vend të veçantë në zemrën tuaj, na thuaj si e përjetoni ta shihni Shkëndijën të dominojë futbollin e Maqedonisë dhe tashmë duke u promovuar goxha mirë edhe në Europë ku tre vitet e fundit prek play offin e UEFA Europa League?
Edmond Miha: “Futbolli është kulturë. Për ta luajtur atë në një nivel të lartë kërkohet gjithmonë inteligjencë në krijimtarinë dhe interpretimin e situatave të lojës, sepse futbolli është një kompleks elementesh që duhen respektuar dhe zbatuar në mjediset sportive. Kur gjithë kjo mbeshtetet edhe në drejtimin financiar, patjeter se do të vijë rezultati në këtë rast dominimi. Financimi nga familja Destani është një veprim fantastik. Kompania Ecolog solli buzëqeshjen, qetësinë, entuziazmin, motivimin dhe dominimin e Shkëndijës në futbollin e Maqedonisë. Unë besoj që Shkëndija do të dominojë edhe më tej dhe natyrisht këtë e përjetoj me një entuziazëm të lartë.”
Vera e shkuar ‘serviri’ Shkëndijën në ‘oborin tuaj’ pasi kuqezinjtë luajtën me Red Bull Salzburgun në raundin e tretë eliminator të UEFA Champions League. Mundësi që nuk mund të lëshohej nga profesor Mondi për të parë nga afër kuqezinjtë.
Edmond Miha: “Ishte dëshirë e madhe për të parë nga afër interpretimin e Shkëndijës në fushën e lojës. Kjo do të ishte një lojë ku futbollistët e Shkëndijës do të tregojnë eksperiencën, ndryshimin dhe zhvillimin e tyre në këto aktivitete europiane. Këto lojëra bëhen instrumenta bazë në raportet e përplasjeve me skuadrat europiane, pra fiton eksperiencë por edhe dinjitet. Dhe Shkëndija bëri një loje bindëse dhe dinjitoze. Ajo mund të dilte me një rezultat pozitiv në qoftëse skuadra do të luante në grup. Futbolli është një kombinim i organizimit kolektiv dhe i shpërthimit të fantazisë individuale. Harmonizimi sa më i mirë i tyre sjell në lojë një qetësi psikologjike që për mua është element bazë në futbollin e kohës. Për mua ishte një loje dinjitoze.”
Si njohës i mirë i futbollit në trevat tona dhe njeri që tashmë disa vite jeton në Austri, na thoni dot çka na mungon për t’iu afruar më shumë nivelit europian në aspekt funksionimi që s’do mend se më pas do të sillte edhe rezultatin?
Edmon Miha: “Unë kam qenë dhe jam për zhvillimin e talentit, për të futur ndjenjën e fitores dhe të bërit kampion. Një skuadër për të funksionuar mirë duhet të jetë së pari me udhëheqje të qarta dhe të pranueshme nga të gjithë. Është e nevojshme që çdo futbollist i talentuar duhet t’i krijojë shokut të tij të skuadrës kushte optimale për të kryer qetësisht rolin e tij në fushë. Këtu del në pah ndjenja e lojës në grup. Futbolli ka nevojë për krijimtarinë e talentit për të bërë spektakël dhe zgjidhje gjeniale në lojën e futbollit. Trajnerët nga ana e tyre duhet të jenë të guximshëm dhe të aftë të afrojnë talentin duke mos patur frikë humbjen e pozicionit si trajner. Talenti kërkon punë profesionale, mbështetje, motivim dhe eksperiencë loje. Dhe tek klubi i Shkëndijës kjo realizohet sepse kanë talente por edhe mbështetje financiare që e bën atë dominante në Maqedoni.”
Profesor, ta shfrytëzojmë pak këtë intervistë për të mësuar pak edhe rreth angazhimeve tuaja momentale. Me çka merreni në Austri, a mund të pritet ndonjë angazhim i ri i juaj si trajner?
Edmond Miha: “Tre vitet e para punova si trajner në Regionale Liga në Neusiedl am See. Gjatë kësaj periudhe kam patur oferta nga kampionati shqiptar dhe ai i Kosovës. Për mua është një cikël i mbyllur. Jetoj në Vienë, kam një shkollë të vogël për gjuhë të huaja me gruan time, Mimoza. Vazhdoj të qëndroj me kohën përsa i përket zhvillimit të futbollit.”
Profesor ju falemenderojmë shumë për kohen që ndatë për këtë intervistë, duke ju dëshiruar gjithë të mirat, shëndet dhe shumë suksese.
Edmond Miha: “Gjithashtu dhe unë ju falënderoj dhe ju uroj suskese juve por edhe Klubit të futbollit Shkëndija.”