Skuadra e FC Shkupit gjatë ditës së sotme ka bërë një super goditje në merkato, duke rikthyer në Çair Besar Isenin.
Fantazisti 22 vjeçar, i cili karrierën e tij futbollistike e kishte filluar pikërisht te FC Shkupi rikthehet në folenë e tij, ndërsa te skuadra e tij e zemrës ka zgjedhur të bartë numrin 10.
“Është ndjenjë e pa përshkruar që përsëri po rikthehem në klubin e zemrës. Për mua është emocion i veçantë vet fakti që do të luajë për Shkupin tim dhe do të kem pas vete zërat e mijëra tifozëve që janë armatë e vërtetë në përkrahjen që ka ekipi, siç janë “Shvercerat”. E falënderoj kryesinë që më besuan dhe më ofruan të kem fanellën me numër 10, kjo është një shtytje e madhe për vazhdimin e karrierës sime” – tha Iseni për faqen zyrtare të klubit, duke vijuar: “Sigurisht se fjalët që them duhet bërë realitet në fushë, për çka them se në secilën ndeshje do të jap maksimumin për të përmbushur kërkesat e klubit dhe plotësuar dëshirat e tifozëve tanë. Është nder të jesh me një grup lojtarësh ku mbizotëron atmosferë pozitive, ndërsa ndjenja është edhe më e mirë kur jemi grup si një familje”.
Iseni tha ca fjalë edhe për trajnerin e ri, Umit Karan, që sipas tij është më i merituari për ndryshimet e bëra në skuadrën e FC Shkupit.
“Dua të shtoj edhe atë se për mua paraqet kënaqësi të punoj nën urdhrat e trajnerit Umit Karan, duke e ditur se ai solli ndryshime në klub me përvojën e tij të madhe që ka gjatë karrierës së suksesshme si futbollist”, – përfundoi intervistën e tij, Iseni, i cili menjëherë është bashkuar me ekipin në Antali dhe po zhvillon përgatitjet, ndërsa së shpejti pritet të jetë edhe në ndeshjet kontrolluese.
Rikujtojmë Iseni në sezonin 2017/18 nga Shkupi kishte kaluar te skuadra e Vardarit, me të cilën skuadër luajti edhe në ndeshjet në grupe të Liga Europa.
Përndryshe Besar Iseni deri më tani ka luajtur edhe për gjeneratat e reja të përfaqësueses së Maqedonisë U18, U19 dhe U21, ndërsa me ardhjen e tij FC Shkupi ka fituar në cilësi, sidomos në pjesën ofenzive, ku pritet që ‘Becko’ të shpërthejë dhe të ndihmojë skuadrën e tij të re në arritjen e objektivave gjatë stinorit pranveror.