Marçello Lipi nuk është më trajner i Kinës. Strategu italian i ka skaduar kontrata me përfaqësuesen aziatike, që u eliminua nga Irani me rezultatin e thellë 3:0 në çerekfinale të Kupës së Azisë, që po zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, të zhvilluar në Abu Dhabi, Lipi nuk pranoi pyetje nga gazetarët, duke lexuar një deklaratë të shkurtër: “Dua të falënderoj të gjithë të pranishmit këtu, sepse kjo ndeshje mbyll dhe kontratën time me kombëtaren kineze. Ishte nder për mua të drejtoja një skuadër kaq të rëndësishme të një vendi të rëndësishëm si Kina.”
Federata Kineze e Futbollit e emëroi Lippin në krye të përfaqësueses në vitin 2016, pas 4 humbjeve radhazi në kualifikueset e Rusi 2018.
Një lëvizje emergjence, për të ndryshuar tendencën negative, teksa presidenti i vendit, Xi Jinping, një i apasionuar pas futbollit, kishte promovuar një plan ambicioz, për ta shndërruar Kinën në superfuqi të futbollit, ndoshta edhe me synimin për të fituar organizimin e Botërorit të vitit 2030.