Futbollistët e Shkëndijës kanë lënë pas ditën e parë të fazës përgatitore në Antalia të Turqisë. Sipas planit të stafit teknik skuadra para dite punoi në palestër, ndërsa pasdita ishte rezervuar për seancë stërvitore në terren ku tashmë futbollistët punojnë me intensitet të plotë.
Pasi firmosën me klubin ditë më parë, Agim Ibraimi dhe Zeni Husmani kanë zhvilluar seancat e para me bashkëlojtarët e rinjë, duke shënuar startin e aventurave të tyre me Shkëndijën.
Për herë të parë pasi operoi ligamentet gjashtë muaj më parë, me grupin ka mundur të punojë Marjan Radeski, si dhe Stenio Zhunior që operoi meniskun edhe pse në ushtrime të caktuara të dy vazhdojnë të kursehen deri sa të jenë të gatshëm për ngarkesë maksimale.
Vazhdon fazën e rehabilitimit Besart Ibraimi që ka udhëtuar me ekipin në Antalia por gjithë kohën do të punojë me program të veçantë të përshtatur për këtë fazë të rikuperimit pas operimit të ligamenteve.
Të enjten para dite skuadra do të stërvitet në palestër, ndërsa pas dite në orën 13:00 sipas kohës tonë (ora 15:00 në Turqi) në program është ndeshja e parë kontrolluese në Antalia përballë ekipit zviceran, FC Grasshoppers.