Liverpulli në një nga ndeshjet më interesante të javës së 23-të në ‘Enfilld Roud’ mundi ekipin e Kristal Pallas me rezultatin 4:3, ndërsa dy nga golat e të ‘kuqve’ në këtë ndeshje i realizoi futbollisti i tyre më i mirë, Mohamed Sallah.
Falë golave të sotëm, egjiptiani kap kuotën e 50 golave në kampionatin elitarë anglez. Për të arritur këtë shifër golash, egjiptianit i janë dashur 72 paraqitje.
Vetëm tre lojtarë e kanë arritur të kapin kuotën e 50 golave në më pak takime. I pari në “podium” është ish sulmuesi i Mançester Junajtedit, Endi Koul.
Sulmuesit anglez i janë dashur vetëm 65 takime për të shënuar 50 gola, ndërsa pas tij ndodhet një tjetër ish reprezentues i Anglisë, Alan Shirer, i cili 50 gola kishte realizuar në 66 takime, teksa i treti në këtë listë që megjithatë lë pas vetes Mohamed Sallah, është sulmuesi holandez, Rud Van Nistelroi.
Ish sulmuesi i Mançester Junajtedit, shifrën e 50 golave të shënuar në Premierligë e kishte arritur në 68 takimet e tij të para me fanellën e ‘Djajve të Kuq’.
Nuk duhet harruar se eksperienca e parë e Saklah ka në Angli, ka qenë me Çelzin e Murinjos në vitin 2014, ku në 12 paraqitje gjeti vetëm dy herë rrugën e rrjetës. Sigurisht me Liverpulin është një histori krejt tjetër. Sezonin e kaluar egjiptiani ishte kryegolashënuesi i kampionatit anglez me 32 gola në 36 aktivizime (rekord për formatin me 38 ndeshje), ndërsa këtë sezon, Mohamed Sallah ka realizuar 16 gola në 23 takime.