Sulmuesi francez Anthony Martial është pranë marrëveshjes për të rinovuar edhe për 5 sezone të tjera kontratën me skuadrën e Manchester United. Lajmin e ka konfirmuar “Sky Sports”, sipas së cilës 23-vjeçari, që luan në “Old Trafford” që prej vitit 2015, kërkon të shtyjë deri në viti 2025 kontratën aktuale.
Martial, pak para se të shkarkohej trajneri Jose Mourinho, rinovoi me një vit kontratën që skadonte në vitin 2019, duke e shtyrë atë deri në vitin 2020. Gjithsesi, ndryshimet në drejtim dhe fakti që po luan më shpesh kanë bindur talentin francez të qëndrojë në Manchester më gjatë.
Këtë sezon, Anthony Martial ka luajtur 23 ndeshje për “djajtë e kuq”, duke realizuar edhe 9 gola. Ai ka qenë vendimtar me paraqitjet e tij, duke qenë një pikë kyçe edhe për trajnerin e ri Ole Gunnar Solskjaer. Madje ka qenë trajneri norvegjez që ka këmbëngulur që Martial t’i rinovohet më gjatë kontrata, gjë që duket se shumë shpejt do të realizohet.