Aliji debuton me Dinamo Bukuresht ndaj Hajduk Splitit

Më në fund duket se futbollisti kumanovarë, Naser Aliji ka gjetur skuadrën e tij dhe do të vazhdojë të luajë rregullisht në pjesën e dytë të sezonit. Futbollisti nënshkroi në nëntor me Dinamo Bukuresht por më pas u kthye në Zvicër, për të vazhduar atje riaftësimin.

Klubi i premtoi që nëse do të shfaqej përsëri në formën më të mirë fizike në janar, do të zyrtarizonte kontratën mes palëve dhe me sa duket, mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare ia ka dalë mbanë që të bindë stafin teknik që në testin e parë që klubi ka zhvilluar dje ndaj Hajdukut të Splitit.

Aliji kishte kryer përgatitje individuale në Zvicër për të qenë në gjendjen më të mirë dhe është paraqitur prej disa ditësh në grumbullimin e Dinamos në Antalia, ku klubi kishte organizuar një ndeshje miqësore me Hajdukun e Splitit.

Skuadra e Dinamos u mund 2:0 dhe Aliji luajti në pjesën e dytë, si mbrojtës në krahun e majtë në një rreshtim 5-4-1, me fanellën me numrin 7 të skuadrës së njohur rumune.

Sipas “Fanatik.ro”, paraqitja e tij kishte lënë shumë mbresa si në lojën ofensive, ashtu edhe në atë mbrojtëse, aq sa edhe skaut në tribuna që kishin shkuar për të parë ndeshjen, kërkuan informacion rreth futbollistit shqiptar i cili duket se që me paraqiten e parë i ka bindur të gjithë se e meritonte realisht një shans në klubin rumun.

Pritet që lojtari të zbresë në fushë më rregullisht në ndeshjet e tjera miqësore të Dinamo Bukuresht, por me sa duket nuk ka më dyshime për vazhdimësinë e tij në këtë klub pasi media rumune e ka cilësuar që tani si “transferimin më të mirë” të bërë nga trajneri Redniç. (vipsport.al)

Leave a Reply