UEFA e ka pezulluar me një ndeshje mbrojtësin kroat, Dejan Lovren, për komentet ofenduese të bëra nëpërmjet rrjeteve sociale në drejtim të kombëtares spanjolle dhe kapitenit të tyre Serhio Ramos, pas fitores 3:2 në Ligën e Kombeve:
‘Spanjollët janë një tufë femrash’ – kishte shkruar Lovren, duke vijuar më pas edhe me sulme ndaj futbollistit të Real Madridit, Ramos: ‘I dhashë një bërryl të mirë, tani le të flasë’.
E gjitha kjo, ishte shoqëruar me disa gjeste dhe një flamur spanjoll në sfond. Një provokim që bëri xhiron e rrjeteve sociale. Natyrisht, mori përgjigje nga Ramos, për të cilin, futbollisti kroat, pas finales së Ligës së Kampionëve në Kiev (dëmtimi i Sallah), pati lëshuar një ‘thumb’ të hidhur: ‘Ramos gabon më shumë se sa unë, por luan te Real Madridi…’
Për këtë arsye, qeveria europiane e futbollit e ka pezulluar kroatin me një ndeshje, ndëshkim që do të kryhet me kombëtaren e tij, por jo edhe me klubin e Liverpullit. Në këtë mënyrë Lovren do të mund të paraqitet në ndeshjen e 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve kundër Bajernit të Munihut.
LEXO GJITHASHTU: UEFA jep vendimin për atë ndërhyrje të ashpër të Myller
Megjithatë në këtë ndeshje nuk do të mund të paraqitet Tomas Myller i Bajernit të Munihut, i cili u ndëshkua me dy ndeshje nga ana e UEFA-s, për shkak kartonit të kuq të marrë në ndeshjen ndaj Ajaksit, kur në stilin ‘kung fu’ kishte ndërhyrë ndaj Nikolas Taljafiko.
Përveç kësaj, UEFA ka dhënë njoftimin e mbylljes së mundshme për një ndeshje të stadiumit të skuadrës greke të Olimpijakosit, ‘Georgios Karaiskakis’, për sjelljen e gabuar të tifozëve vendës në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Liga Europa kundër Milanit. Por, ekziston mundësia që ky lloj ndëshkimi të konvertohet në gjobë, diçka e ngjashme më parë edhe me PSZH-në (35.000 euro gjobë për incidentet në ndeshjen me Crvena Zvezdën).