Skuadra e Shkëndijës e para kishte nisur stërvitjet në prag të stinorit pranveror, ndërsa tashmë drejtuesit e kësaj skuadre kanë aranzhuar dy nga gjithsej tre ndeshjet e parapara miqësore në Maqedoni, para se të transferohen në Turqi për fazën e dytë të përgatitjeve, njofton ‘infOSport.mk’.
Të besuarit e trajnerit Qatip Osmani ndeshjen e parë do ta zhvillojnë kundër Renovës me datë 16 janar, ndërsa vetëm 4 ditë më pas ‘kuqezinjtë’ do të masin forcat me Makedonija GJ.P.
Tashmë mbetet vetëm të caktohet edhe kundërshtari i tretë, me të cilin Qatip Osmani do të mbyllte fazën e parë të përgatitjeve, përmes të cilave do të kishte edhe një pasqyrë më të mirë për gjendjen momentale të futbollistëve, të cilët formën e tyre optimale do të tentojnë ta arrijnë në fazën e dytë të përgatitjeve në Antalia të Turqisë.
Drejt tokës turke skuadra kampione e Maqedonisë do të niset me datë 22 janar, ndërsa pritet të qëndrojnë deri me 5 shkurt. Brenda këtij intervali kohor ‘kuqezinjtë’ kanë paraparë të zhvillojnë edhe 4 ndeshje të tjera miqësore, ku njëra prej tyre do të jetë kundër skuadrës së Lokomotiv Plovdovit (28 janar), që udhëhiqet nga ish trajneri i Shkëndijës, Bruno Akrapoviç.