Teknologjia në fushë është risia e fundit në futboll, sidomos sistemi VAR që po njeh përdorim gjithnjë e më të zgjeruar. Aktualisht ky sistem përdoret në pesë ligat më të forta në Evropë: La Liga, Seria A, Bundesliga, Ligue 1 dhe së fundi në Premier League.
Një të ardhme me VAR ka edhe Kosova. Pas suksesit të kombëtares dardane, tani Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu ka konfirmuar se janë caktuar personat që të fillojnë me krijimin e dhomave të VAR për dy stadiumit kryesore në vend. Respektivisht, në stadiumin e Prishtinës “Fadil Vokrri” dhe atë të Mitrovicës “Adem Jashari”. Ky sistem parashikohet të përdoret në ndeshjet ndërkombëtare të klubeve të Kosovës, ose edhe në ndeshjet e përfaqësueses së tyre.
Gjithsesi ky njoftim nga përfaqësuesi i FFK-së nuk ka kaluar pa ironi, teksa opinionistë të futbollit në Kosovë janë shprehur se në stadiumet e tyre ende mungon uji i nxehtë, ndërsa zyrtarët flasin për teknologji të fundit.