Nesër starton Botërori i hendbollit, Franca dhe Danimarka favoritët kryesor

Nga data 10 deri me 27 janar në 6 qytete të ndryshme të Gjermanisë dhe Danimarkës do të zhvillohet Kampionati i 26-të Botëror në Hendboll për meshkuj, ku do të marrin pjesë gjithsej 24 kombëtare, njofton ‘infOSport.mk’.

Ndeshjet e raundit paraprak luhen në 4 grupe me nga 6 skuadra në qytetet e Berlinit, Munihut, Herningut dhe Kopenhagenit.

Pjesë e këtij eventi të rëndësishëm është edhe përfaqësuesja e Maqedonisë, që bënë pjesë në grupin ‘B’, së bashku edhe me Spanjën, Kroacinë, Islandën, Bahreinin dhe Japoninë.

3 ekipet e para të secilit grup shkojnë në raundin kryesor që luhet në dy grupe në qytetet e Këllnit dhe Herningut, ndërkohë kombëtaret e renditura nga pozita 4 deri në 6, do të përcaktojnë pozitat e tyre përfundimtare në këtë Botëror, me ndeshjet që do i zhvillojnë në qytetin e Këllnit të Gjermanisë dhe Kopenhagenit të Danimarkës.

4 skuadrat më të mira nga raundi kryesor do të sigurojnë biletën për në ndeshjet gjysmëfinale, që do të zhvillohen në Hamburg, ndërkohë ndeshja për vendin e tretë si dhe finalja e madhe, e paraparë për datë 27 janar do të zhvillohen në Herning.

Edhe këtë vit Franca llogaritet si një ndër favoritët kryesor, bashkë edhe me nikoqirët e Danimarkës. Franca është pjesë e grupit ‘A’ bashkë edhe me Gjermaninë, Rusinë, Serbinë, Brazilin dhe Korenë, teksa Danimarka bënë pjesë në grupin ‘C’, bashkë edhe me Austrinë, Norvegjinë, Tunisin, Arabinë Saudite dhe Kilin.

Leave a Reply